Në 29 dhjetor të vitit 2016, Këshilli Bashkiak i Tiranës, mes kritikave për mungesë të transparencës dhe dëgjesave publike, miratoi planin e përgjithshëm vendor “Tirana 2030”.
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është qendra ekonomike dhe politike më e rëndësishme e vendit si edhe hapësira që përjeton rritjen më të shpejtë të popullsisë. shoqëruar me agresivitetin më të madh të ndërtimeve dhe tjetërsimit të peizazhit urban.
Shpesh këto projekte zhvillimore lidhen me interesa të dyshimta financiare duke gjetur një terren favorizues si në projektet infrastrukturore publike ashtu edhe në parashikimet strategjike të planit zhvillimor të Tiranës.
Këto faktorë e bëjnë emergjente nevojën e një nisme që hedh dritë duke hulumtuar dhe investiguar mënyrën si po implementohen strategjitë e zhvillimit të miratuara në Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës, me vendim KKT Nr.1 datë 14.04.2017, sipas 13 projekteve strategjike që ky plan synon.
Qëllimi: TR2031 synon rritjen e transparencës mbi vendimmarrjen e pushtetit lokal mbi projektet strategjike të planit urbanistik Tirana 2030, duke forcuar procesin e llogaridhënies nëpërmjet partneriteti të gazetarëve dhe ekspertëve të fushës së urbanistikës dhe arkitekturës.
Objektivat Specifike:
(O1) Të investigojë në mënyrë profesionale dhe inovatore çështje urbane që lidhen me qarkullimin dhe aksesueshmërinë e qytetit, hapësirat e gjelbra, tjetërsimin e trashëgimisë kulturore dhe strehimin.
(O2) Të hedhë dritë mbi veprimtarinë institucionale të pushtetit lokal, duke krijuar një hapësirë alternative informacioni; dhe të shërbejë si një mjet për nxitjen e presionit qytetar nëpërmjet informimit të opinionit publik me anë të produkteve mediatike të pavarura dhe të thelluara. Grupi i gazetarëve të Citizens Channel dhe një rrjet bashkëpunëtorësh të jashtëm do të angazhohen në krijimin e një cikli investigimesh të quajtur Tirana 2031; që do të përfshijë 5 artikuj të thelluar dhe 5 video reportazhe mbi çështjet urbane.
• Kuptim më i mirë i problematikave urbane dhe infrastrukturore nga ana e grupeve të interesit, nëpërmjet prodhimit të informacionit të pavarur dhe cilësor;
• Avancimi i gazetarisë së tematizuar në çështjet urbane, përmes bashkëpunimit të gazetarëve me ekspertë të pavarur të fushës, për të prodhuar përmbajtje profesionale, analitike dhe kritike;
• Përfaqësim më i mirë i interesave të qytetarëve në media dhe gazetarisë së tematizuar mbi çështjet e qytetit, ku mungesa është e madhe;
• Krijimi i një hub-i informacioni për të gjithë të interesuarit, të cilët në përditshmëri në lidhje me këtë problematikë, informacionin e marrin shumë të copëzuar, dhe të pa kontekstualizuar.
“Tirana 2031” është një projekt i Citizens Channel, në kuadër të programit Investigative Network Albania (INA), një iniciativë e përbashkët e Albanian Center for Quality Journalism, Albanian Media Institute / Instituti Shqiptar i Medias dhe Qendra Fol, mbështetur nga U.S. Embassy-Tirana.